关于知识产权 知识产权培训 树立尊重知识产权的风尚 知识产权外联 部门知识产权 知识产权和热点议题 特定领域知识产权 专利和技术信息 商标信息 工业品外观设计信息 地理标志信息 植物品种信息(UPOV) 知识产权法律、条约和判决 知识产权资源 知识产权报告 专利保护 商标保护 工业品外观设计保护 地理标志保护 植物品种保护(UPOV) 知识产权争议解决 知识产权局业务解决方案 知识产权服务缴费 谈判与决策 发展合作 创新支持 公私伙伴关系 人工智能工具和服务 组织简介 与产权组织合作 问责制 专利 商标 工业品外观设计 地理标志 版权 商业秘密 WIPO学院 讲习班和研讨会 知识产权执法 WIPO ALERT 宣传 世界知识产权日 WIPO杂志 案例研究和成功故事 知识产权新闻 产权组织奖 企业 高校 土著人民 司法机构 遗传资源、传统知识和传统文化表现形式 经济学 性别平等 全球卫生 气候变化 竞争政策 可持续发展目标 前沿技术 移动应用 体育 旅游 PATENTSCOPE 专利分析 国际专利分类 ARDI - 研究促进创新 ASPI - 专业化专利信息 全球品牌数据库 马德里监视器 Article 6ter Express数据库 尼斯分类 维也纳分类 全球外观设计数据库 国际外观设计公报 Hague Express数据库 洛迦诺分类 Lisbon Express数据库 全球品牌数据库地理标志信息 PLUTO植物品种数据库 GENIE数据库 产权组织管理的条约 WIPO Lex - 知识产权法律、条约和判决 产权组织标准 知识产权统计 WIPO Pearl(术语) 产权组织出版物 国家知识产权概况 产权组织知识中心 产权组织技术趋势 全球创新指数 世界知识产权报告 PCT - 国际专利体系 ePCT 布达佩斯 - 国际微生物保藏体系 马德里 - 国际商标体系 eMadrid 第六条之三(徽章、旗帜、国徽) 海牙 - 国际外观设计体系 eHague 里斯本 - 国际地理标志体系 eLisbon UPOV PRISMA UPOV e-PVP Administration UPOV e-PVP DUS Exchange 调解 仲裁 专家裁决 域名争议 检索和审查集中式接入(CASE) 数字查询服务(DAS) WIPO Pay 产权组织往来账户 产权组织各大会 常设委员会 会议日历 WIPO Webcast 产权组织正式文件 发展议程 技术援助 知识产权培训机构 COVID-19支持 国家知识产权战略 政策和立法咨询 合作枢纽 技术与创新支持中心(TISC) 技术转移 发明人援助计划(IAP) WIPO GREEN 产权组织的PAT-INFORMED 无障碍图书联合会 产权组织服务创作者 WIPO Translate 语音转文字 分类助手 成员国 观察员 总干事 部门活动 驻外办事处 职位空缺 采购 成果和预算 财务报告 监督
Arabic English Spanish French Russian Chinese
法律 条约 判决书 按司法管辖区搜索

阿尔巴尼亚

AL018-j

返回

Vendimi nr. 5165, datë 15.07.2019 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë



SHOQËRIA “A” SH.A KUNDËR SHOQËRISË “B” SH.A DHE SHOQËRISË “C” SH.P.K, VENDIMI NR. 5165, DATË 15.07.2019, PËR NDALIMIN E PRODHIMIT, SHPËRNDARJES DHE TREGTIMIT TË PRODUKTEVE

Objekti i padisë: Ndalimin e prodhimit, shpërndarjes dhe tregtimit të produkteve bombol gazi për shkak të ambalazhimit në mënyrë të njëjtë/të ngjashme me një markë të regjistruar, si dhe tërheqjen e tyre nga tregu.

Gjyqtari: E.C

Fjalët kyç: pronësi industriale, markë tregtare, markë e mirënjohur, ambalazh tregtar, konkurrencë e pandershme, dëm jashtëkontraktor.

Ligji dhe dispozitat ligjore përkatëse: Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, nenet 638 dhe 639, si dhe ligji nr. 9947 datë 07.07.2008 “Për pronësinë industriale”, i ndryshuar, nenet 156, 184/a, 184/b dhe 184/c.

Faktet kryesore:

Palët ndërgjyqëse kanë si objekt aktiviteti tregtar, ndër të tjera, tregtimin dhe import-eksportin e mallrave ushqimorë e industrialë, të tilla si bombolat e gazit, gazin e lëngshëm, pajisjeve për konsumimin e tyre, etj.

Pala paditëse ka në pronësi të saj markën tregtare të regjistruar “ELKA” nr. 8214, datë 27.11.2000 sipas njoftimit për lëshim ekstrakti të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI) me emërtim marke Elka (e kuqe, jeshile, bojë qielli, fjalë dhe vizatim) klasat 6 (bombol gazi), 29, 30, 32 me afat mbrojtje deri në datë 04.02.2010. Marka është regjistruar gjithashtu për bombol gazi Elka (jeshile e bardhë) (tre dimensionale) me nr. 9775, datë 24.03.2004 dhe me datë depozitimi kërkese 04.03.2003. Gjithashtu, marka është regjistruar me numër regjistrimi 14027, me datë regjistrimi 01.07.2011 dhe datë të mbarimit të mbrojtjes 01.07.2021, me ngjyra që mbrohen e kuqe, jeshile, blu për klasat 6 (bombol gazi), 29, 30, 32. (fjalë e vendosur brenda një rombi, vizatim).

Palët e paditura në datë 03.06.2013 kanë lidhur me shoqërinë “D” SHPK një akt marrëveshje sipas së cilës ata kanë rënë dakord për përdorimin, prodhimin, tregtimin dhe shpërndarjen e produkteve të ndryshme nën logon dhe emërtimin e markave në pronësi të shoqërisë “D”.

Shoqëria “D” ka patur të regjistruar markën “ELRA” (jeshile e bardhë) (tre dimensionale) me nr. 9790 regjistrimi, datë 07.04.2004 dhe me datë depozitimi kërkese regjistrimi 24.02.2003 dhe datë mbarimi të mbrojtjes 24.02.2013.

Pala e paditur, shoqëria “B” pretendon: të drejtën e pronësisë industriale duke paraqitur një Deklaratë Noteriale nga një shtetas grek në Athinë, Greqi. Sipas kësaj deklarate ky subjekt pretendon se është vizituar nga përfaqësuesi i shoqërisë “D” dhe ky i fundit i ka kërkuar të krijojë disa makete në mënyrë që t’i përdorte ato në bombula gazi LPG, në madhësi të ndryshme, që kompania e tij do të dispononte në treg. Një element bazë i maketave ishte se ato mbanin në mënyrë alternative, tipare dalluese “EN” ose “EG”, shkruar në mënyra të ndryshme.

Pala paditëse pretendon se: deklarata noteriale është e pavërtetë në kushtet kur provohet se këto makete (duke u përqëndruar në veçanti tek 2 të parat, me tiparet dalluese “ELRA NEW” ose “ELRA GAZ”) nuk mund të jenë prodhuar prej tij në vitin 1997. Po ashtu, logo “UN 2037”, përfaqëson kodin përkatës të Listës së Mallrave të Rrezikshme të miratuar nga OKB, në vitin 2013, për bombolat e gazit jo të rimbushme, nën presion. Pra, edhe ky Kod është miratuar shumë vite më vonë, nga viti 1997, i pretenduar në mënyrë të pavërtetë nga deklaruesi. Për më tepër, në maketin e pretenduar janë shënuar edhe dy nr. telefoni celular të cilët janë futur në qarkullim pas vitit 2010. Pra, në vitin 1997 as nuk ekzistonte kjo shoqëri në Shqipëri dhe sigurisht as këto nr. telefoni nuk mund të vendoseshin në maketën e pretenduar se ka konceptuar deklaruesi, shtetasi grek. Në përfundim, element po kaq i rëndësishëm që hedh poshtë katërcipërisht pretendimin e krijimit të këtij maketi në vitin 1997, është fakti se në atë maket, shënohet se bombola është prodhuar nga shoqëria “B”, e paditur në këtë gjykim, në një kohë kur provohet se ky subjekt juridik është themeluar në datën 09.02.2012.

Vendimi:

Gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, në shkallën e parë të gjykimit, u vendos pranimi i pjesshëm i kërkesë padisë për shkak se marka “ELKA” është një markë e mirënjohur dhe tregtimi i produkteve nga palët e paditura përbën konkurrencë të pandershme, duke krijuar konfuzion tek konsumatori mesatar. Produktet e markuara përdorin të njëjtat kanale shpërndarje dhe reklamimi i tyre i drejtohet të njëjtës grupmoshe konsumatorësh. Përdorimi i një ambalazhi të ngjashëm me ambalazhin tregtar me reputacion të lartë pasjell përfitim në mënyrë të paligjshme nga prestigji i markës së mirënjohur dhe shmang shpenzimet për marketing. Gjykata ka vendosur: “Pranimin e pjesshëm të kërkesë padisë, detyrimin e palëve të paditura të ndalojnë menjëherë dhe përgjithmonë prodhimin, shpërndarjen dhe tregtimin e produkteve bombol gazi në logon “ELRA” të ambalazhuara në mënyrë të njëjtë të ngjashme me markën e regjistruar “ELKA” me ambalazhimin e sfondet përkatëse dhe mos përsëritjen e tyre në të ardhmen për shkak se ky përdorim përbën shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale të drejtave të përfituara nga paditësi si markë e mirënjohur.
Urdhërimin e të paditurit të tërheqë nga tregu të gjithë sasinë e bombolave të gazit në logon “ELRA” me përshkrimet e sipërcituara.
Publikimin e këtij vendimi në dy media të shkruara, në faqe të parë për një periudhë prej 5 ditësh rresht me shpenzimet e të paditurit.
Rrëzimin e padisë për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor.”.

Arsyetimi i gjykatës:

Gjykata duke mos u ndaluar në përcaktimin që kanë bërë palët sqaron se duhet të zgjidhë çështjen në përputhje me shkakun që rezulton nga shqyrtimi në tërësi i kërkesë padisë, duke bërë lidhjen midis fakteve që pretendohen prej paditësit se kanë ngjarë dhe të drejtave apo interesave që ai pretendon se i janë cenuar. Për këtë arsye, gjykata mori në analizë çështjet nëse marka tregtare “ELKA” është markë e mirënjohur në Shqipëri dhe nëse jemi përpara konkurrencës së pandershme për shkak të produkteve të tregtuara nga palët ndërgjyqëse.

Sa i përket çështjes së parë të shtruar për zgjidhje në arsyetimin e këtij vendimi, gjykata vlerëson se kushti ligjor i mbrojtjes së markës tregtare, krahas kritereve të tjera ligjore është dhe mirënjohja e saj në vendin ku përdoret si e tillë. “Markat e mirënjohura” mbrohen nëpërmjet zbatimit të Konventës së Parisit për Mbrojtjen e Pronësisë Industriale (1883) e ndryshuar, (Konventa e Parisit) dhe neni 16 i Marrëveshjes mbi Aspektet Tregtare të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale (TRIPs). Qëllimi i nenit 6bis të Konventës së Parisit është të mbrojë markat tregtare të mirënjohura. Vendet e saj anëtare i nënshtrohen detyrimit të refuzojnë ose anulojnë regjistrimin e markave tregtare të cilat janë konfuze apo të ngjashme me një markë të mirënjohur, apo/dhe të ndalojnë përdorimin e tyre. Parakusht për mbrojtjen e një marke të mirënjohur është ngjashmëria e produktit. Megjithatë, mbrojtja shtrihet përtej ngjashmërisë së produktit, kur përdorimi i markës tregtare do të shfaqte një lidhje midis produkteve dhe pronarit të markës tregtare të mirënjohur, e cila ndoshta do t’i shkaktonte dëm pronarit të markës tregtare.

Kriteret ligjore të përcaktuara më sipër, parë në raport me Konventën që t’i japin një marke statusin “markë e mirënjohur”, kërkojnë nga gjykata që vlerësimin e tyre t’a bëjë në përputhje me kuptimin dhe qëllimin që kanë në vetvete këto terma të përdorur në ligj parë në raport me rrethanat konkrete. Kështu koncepti “përdorim” nënkupton për gjykatën së pari përdorimin e saj minimalisht në një grup të caktuar të interesuarish dhe maksimalisht për publikun e gjerë dhe së dyti kohëzgjatja e këtij përdorimi përbën kriter tjetër vlerësues për gjykatën për dhënien e këtij statusi. Koncepti i “reklamimit ose publikimi” lidhet me evidentimin e kësaj marke nëpërmjet formave të ndryshme të të bërit publike si reklama, spote publicitare, postera, fletë-palosje, etj.

Gjykata çmon se u provua gjyqësisht se kjo markë tregtare është e mirënjohur në tregun shqiptar për sa kohë që ajo si e tillë është tregtuar që nga viti 2003 e më vonë nga shoqëria tregtare “A” me të njëjtin emër. Nga pala paditëse, u provua edhe fakti i qënies së kësaj marke dhe produktit që ajo tregton si mall konsumi i përditshëm nga popullata (konsumatori), duke provuar dhe reklamimin e saj në televizione kombëtare. Pala paditëse provoi në gjykim se ajo importon sasi të konsiderueshme të këtij produkti referuar shkresës nr.25281/1, datë 29.10.2018 të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Në lidhje me pretendimin e konkurrencës se pandershme, gjykata vëren se Kodi Civil ka përcaktuar elementët për të garantuar mbrojtjen ligjore të shenjave dalluese dhe të drejtave të patentës në nenin 638 dhe nenin 639 të tij.

Në gjykim u provua, se pala paditëse importon bombol gazi, me ngjyrë jeshile, me emrin “ELKA” të shkruar me ngjyrë të kuqe, brenda një rombi të vijëzuar me të bardhë, me gërma jo me të njëjtin dimension, të vendosur në pjesën e sipërme të bombolës së gazit. Ndërkohë, palët e paditura tregtojnë një produkt të dizenjuar bombol gazi me ngjyrë jeshile, me emrin “ELRA” të shkruar më ngjyrë të kuqe, brenda një rombi të vijëzuar me të bardhë, me gërma jo me të njëjtin dimension, të vendosur në pjesën e sipërme të bombolës së gazit. Si në emërtimin “ELKA” ashtu dhe në emërtimin “ELRA” me të njëjtat karakteristika të shkrimit si në pjesën e sipërme gërma e parë “E” dhe e fundit “A” janë më të vogla ndërkohë që gërmat e mesit janë më të mëdha. Disenjoja e gërmave “E” dhe “A” është identike, duke ndryshuar në këto emërtime vetëm gërma K nga R. Edhe në pjesët anësore të bombolave të gazit vendosja e emërtimeve “ELKA” dhe “ELRA” është në të njëjtën lartësi, me ngjyrë të kuqe, brenda një rombi të vijëzuar me të bardhë. Disenjoja e germave “E” dhe “A” është identike duke ndryshuar në këto emërtime vetëm gërma K nga R.

Gjykata çmon se përsa kohë ngjyrat jeshile të bombolave të gazit janë identike, shkrimet “ELKA” dhe “ELRA” janë të shkruar me ngjyrë të kuqe të njëjtë për nga fortësia e ngjyrës, ndodhen të shkruara brenda një rombi të vijëzuar me të bardhë, me gërma jo me të njëjtin dimension, ku gërma e parë “E” dhe e fundit “A” janë më të vogla, ndërkohë që gërmat e mesit janë më të mëdha, disenjoja e gërmave “E” dhe “A” është identike, duke ndryshuar në këto emërtime vetëm gërma K nga R, janë vendosur në të njëjtin pozicion të ambalazhit si në pjesën e sipërme ashtu dhe në pjesën anësore, rezulton se krijojnë një konfuzion në treg, si bashkëlidhje midis markave, si dhe në marrjen e përfitimeve nga reputacioni i markave të paditësit. Gjykata çmon se përsa kohë emri i shoqërisë, pra emri tregtar i paditësit, që tregton bombolat e gazit “ELKA” është i njëjtë me emrin e shënuar në këto produkte, por dhe në produkte të tjera të tregtuara nga paditësi, atëherë konfuzioni që krijohet te konsumatori është i dukshëm dhe krijon bindjen se të dyja këto ambalazhime janë produkte të tregtuara nga paditësi. Gjykata çmon se dhe nga pikëpamja fonetike dhe jo vetëm vizuale këto dy emërtime figurojnë realisht shumë të ngjashme, përsa kohë shqiptimi i tyre ndryshon vetëm në një germë.

Gjykata vëren se paditësi arriti të provojë se ai kryen shpenzime të konsiderueshme me qëllim reklamimin e mallit, por dhe të emrit të vet tregtar, ndërkohë që palët e paditura nuk paraqitën asnjë provë të tillë dhe për rrjedhojë është e dukshme se i gjithë përfitimi krijohet në mënyrë të padrejtë nga të paditurit si pasojë e mirënjohjes së markës së paditësit për shkak dhe të investimit që ai kryen në këtë drejtim.

U provua në gjykim sipas shpjegimeve të palës paditëse dhe provave të administruara, ekzistenca e ngjashmërive në ambalazhime të produkteve të markuara. Gjykata çmon se ambalazhet e produkteve, krijojnë konfuzion tek konsumatori mesatar duke marrë në konsideratë që produktet e të dy markave përdorin të njëjtat kanale shpërndarje dhe tregtohen në të njëjtat dyqane dhe supermarkete, madje shiten edhe në të njëjtat rafte, njëra pranë tjetrës. Po kaq i rëndësishëm është fakti që marketingu dhe reklamimi i këtyre produkteve i drejtohet të njëjtës grupmoshe konsumatorësh.

Rreziku i konfuzionit nga konsumatori mesatar intensifikohet edhe për arsye të faktit që paditësi këtë emër e ka dhe emrin e vet tregtar nën të cilin reklamon dhe tregton dhe produkte të tjera duke gëzuar statusin e markës së mirënjohur. Sa më e lartë është shkalla e konsolidimit dhe njohjes së një marke, sigle, logoje apo tipari dallues, aq më e lartë është fuqia dalluese që ka dhe aq më të rrepta janë kushtet për përjashtimin e rrezikut për konfuzion. Me fjalë të tjera, kërcënimi i rrezikut për konfuzion është më i madh tek shenjat dhe tiparet dalluese që kanë fituar fuqi të madhe dalluese, janë bërë të mirënjohura dhe kanë autoritet në treg. Rrjedhimisht, tiparet dalluese dhe shenjat e mirënjohura apo me reputacion të madh gëzojnë mbrojtje të shtuar ligjore në raport me shenjat dhe tiparet dalluese të zakonshme, sepse në to diferencimi i mjaftueshëm kërkon ndryshim të madh të karakteristikave të krahasuara të dy palëve.

Duke përdorur një ambalazh tregtar të ngjashëm me ambalazhin tregtar me reputacion të lartë në tregun shqiptar, i padituri jo vetëm që përfiton në mënyrë të jashtëligjshme nga aktiviteti dhe prestigji i markës së mirënjohur, por madje edhe shfrytëzon arritjet publicitare duke shmangur shpenzimet dhe përpjekjen e tyre për marketing. Mjafton fakti që i padituri ka zgjedhur të largohet nga imazhi i mallrave të tij tregtare dhe të përdorë aktualisht një ambalazh tregtar shumë të ngjashëm me atë të produkteve të paditësit, për të vërtetuar qëllimin e të paditurit që të realizojë një përfitim të padrejtë nga marka e mirënjohur të cilën paditësi e ka dhe emër tregtar. Përveç përfitimit të padrejtë, i padituri, duke qenë një konkurrent i drejtpërdrejtë i paditësit, po dëmton rëndë aktivitetin e biznesit të paditësit. Fakti që nga i padituri, është zgjedhur kombinimi i atillë i ngjyrave dhe i konceptit vizual për ambalazhin/paketimin e produkteve, të çon në përfundimin se qëllimi i këtij veprimi është përfitimi i avantazheve të padrejta nga marka e mirënjohur e paditësit.

Gjykata në fakt i gjen të drejta dhe të bazuara pretendimet duke krijuar bindjen se të paditurit kanë shkelur dispozitat e Kodit Civil në lidhje me konkurrencën e pandershme, duke kopjuar elementët e paraqitjes grafike të ambalazheve të produktit bombol gazi të tregtuar nga paditësi.

Lidhur me kërkimin e objektit të kërkesë padisë përsa i përket dëmit të shkaktuar për efekt te konkurrencës së pandershme, gjykata çmon se konflikti gjyqësor buron nga marrëdhënia juridike e dëmshpërblimit jashtë kontraktor e cila gjen rregullim në nenin 608 e vijues të Kodit Civil si dhe në rregullimet e posaçme të legjislacionit mbi dëmet jashtëkontraktore te shkaktuara te tretëve nga mjetet motorike. Në këtë rast, gjykata çmon se nuk u provua vlera e dëmit të pretenduar nga paditësi dhe për rrjedhojë ky pretendim duhet të rrëzohet.