PROKURORIA KUNDËR V.E dhe T.S, VIKTIMA E VEPRËS PENALE SHOQËRIA “T” SH.A, VENDIMI NR. 2923, datë 04.11.2021 PËR KRYERJEN E VEPRËS PENALE “SHKELJE E TË DREJTAVE TË PRONËSISË INDUSTRIALE”, KRYER NË BASHKËPUNIM, PARASHIKUAR NGA NENI 149/A/2 I KODIT PENAL
Akuza: Për kryerjen e veprës penale “Shkelje e të drejtave të pronësisë industriale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 149/a/2 i Kodit Penal.
Gjyqtari: L.S
Fjalët kyçe: Markë tregtare, përdorim i paautorizuar, transmetime televizive, përgjegjësi penale për cënim të të drejtave të pronësisë industriale, gjykim i shkurtuar, dënim me gjobë.
Ligji dhe dispozitat ligjore përkatëse: Neni 149/a/2 i Kodit Penal; Ligji 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”.
Faktet kryesore:
Më datë 16.11.2020 Shoqëria “T” sh.a., ka depozituar kallëzim penal, ku ka kallëzuar se kjo kompani është licencuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive për ushtrimin e veprimtarisë, ku ushtron edhe veprimtari për ndërtimin e sistemeve të telekomunikacionit dhe transmetimeve audiovizive dhe ripërsëritjen e tyre në çdo lloj transmetimi satelitor, tokësor, kabllor, IPTV, OTT dhe Internet TV. Sipas kallëzimit rezulton se punonjësit e shoqërisë, duke monitoruar transmetimet e ndryshme në internet, janë njohur me aplikacionin “Extreme-IPTV” dhe “E-IPTV”, të cilët transmetonin te persona të tjerë, në mënyrë të paligjshme kanale televizive të platformës televizive “T TV” si dhe të “D TV”. Transmetimi kryhej nga këta persona në mungesë të një marrëveshje me shoqëritë përkatëse. Gjithashtu, rezulton se ky aplikacion nuk ishte i regjistruar në Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe nuk dispononte licencë apo autorizim nga AMA apo AKEP në RSH.
Punonjësi i kompanisë “D TV”, D.M., ka kryer një pagesë prej 100 Euro në emër të shtetasve V.E dhe T.S, duke komunikuar me ta përmes portalit “Extreme-IPTV” dhe “E-IPTV”.
Shtetasja E.Ç, në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme të hetimit, ka deklaruar se punon në detyrën e Drejtueses së Departamentit Ligjor në Shoqërinë “T TV” sh.a. Kjo shtetase ka deklaruar se situata është verifikuar duke gjurmuar një qytetar i cili e ka kryer pagesën përmes UFS Maqedoni, në favor të shtetasit V.E.
Shtetasi A.S ka deklaruar se punon në detyrën e Drejtorit Teknik në Shoqërinë “T TV” sh.a., duke deklaruar të njëjtat fakte si më lart, por ndër të tjera edhe faktin se kanë komunikuar përmes rrjeteve sociale dhe kanë verifikuar se pagesat përfitohen nga V.E dhe T.S përmes Western Union.
Ndërkohë, shtetasi D.M ka deklaruar se portali që u ka dhënë shtetasi V.E është iptvstream.xyz:8080/c dhe këtë portal ai e ka vendosur në aparatin MAC dhe është bërë transmetimi i kanaleve televizive.
Në kuadër të veprimeve hetimore, është kërkuar informacion nga Western Union për personat që kanë bërë tërheqjen e pagesës dhe marrësi i saj është shtetasi T.S.
Po ashtu, është kryer sekuestrimi i mandatit origjinal të tërheqjes së parave nga shtetasi T.S si dhe sekuestrimi i aparatit MAC nga shtetasi D.M.
Nga ana tjetër, është kryer ekspertimi teknik, ku rezulton konkluzioni se pajisja është e tipit “IPTV”, e cila ndër të tjera shërben edhe për marrjen e kanaleve të ndryshme televizive. Pajisja ndizet në momentin e ekspertimit dhe adresa përkatëse është konfiguruar që të paraqitet në mënyrë automatike. Në rubrikën “TV” janë listuar kanalet televizive shqiptare dhe të huaja. Këto kanale televizive janë aktive për t’u ndjekur transmetimet e tyre në kohë reale (live), nëse pajisja është e lidhur me rrjetin e internetit.
Po ashtu, nga akti i ekspertimit rezulton se pajisja përmes menu-së së saj mundëson që të shihet një numër i konsiderueshëm kanalesh televizive të platformave shqiptare dhe të platformave të shteteve të tjera.
Personi nën hetim shtetasi T.S është pyetur dhe ka deklaruar se shtetasin V.E e ka shok që prej fakultetit. Ai ka pretenduar se në muajin tetor të vitit 2020 e ka telefonuar shtetasi V.E, i cili i ka thënë se një shok i tij, kishte nisur një shumë prej 100 Euro në emrin e tij dhe vetë shtetasi V.E pretendonte se nuk mund t’a tërhiqte dot. Në këto kushte, ai ka deklaruar se tërheqjen e ka bërë ai vetë, me kodin që i ka dhënë shtetasi V.E, shumë të cilën më pas ia ka dorëzuar shtetasit V.E. Ky shtetas ka deklaruar se ka shkarkuar portalin E-IPTV për të parë televizor në telefonin e tij dhe kodin ia ka dhënë shtetasi V.E., por deklaron se nuk e ka më në telefon, as kodin dhe as aplikacionin.
Personi nën hetim shtetasi V.E ka deklaruar se duke eksploruar në internet ka parë faqen e IPTVPARK. Ai pretendon se kjo faqe në internet ofronte blerjen e produkteve që ishin për rishitje dhe me kartën e kreditit pretendon se ka blerë 100 kredite për vlerën 100 Euro, kredite të cilat ishin shërbim i ofruar për kanale televizive të platformave të ndryshme. Gjithashtu, ka pretenduar se për t’i rishitur ai ka hapur një faqe në Instagram me emërtimin “IPTV”, ku ka vendosur kontakte me një shtetas shqiptar të Maqedonisë, i cili ka kërkuar dy abonime televizive. Ky shtetas pretendon se i ka dërguar një link të portalit, ku sipas tij e ka blerë në faqen IPTV Park.net. Në deklarim ai është shprehur se në aplikacionin Whats app shtetasi maqedonas i ka dërguar foto të aparatit që dispononte, që shërben për marrjen e sinjalit televiziv IPTV përmes internetit. Më pas, pasi ka kryer pagesën, shtetasi V.E i ka dërguar linkun, të cilin e gjeneron sistemi. Ai pretendon se kur ka shkuar për të tërhequr pagesën, nuk mundësohej tërheqja duke u pretenduar se dërguesi e kishte bllokuar atë. Për këtë arsye, ai ka dhënë emrin e shokut të tij T.S që t’a kryente ai tërheqjen, meqë nuk ishte e mundur të bëhej me emrin e tij. Gjithashtu, ai ka deklaruar se faqja e tij e instagramit ka qenë e hapur vetëm për 5 (pesë) ditë dhe më pas është mbyllur nga vetë aplikacioni. Ky shtetas ka deklaruar se nuk ka dijeni nëse faqen IPTV Park.net e ka ndonjë shtetas shqiptar apo i huaj, pasi pagesën e ka bërë me kartë krediti ose paypal dhe nuk njihet as me numrin e llogarisë së kësaj faqe dhe emrin e personit.
Prokurori pretendon deklarimin fajtor të të pandehurve V.E dhe T.S akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e të drejtave të Pronësisë industriale” kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 149/a/2 të Kodit Penal, dënimin e secilit prej tyre me 90.000 lekë gjobë, duke u aplikuar edhe gjykimi i shkurtuar.
Mbrojtja pretendon se të dy të pandehurit duhet të deklarohen të pafajshëm.
Vendimi:
Gjykata krijoi bindjen e plotë se nga ana e të pandehurve V.E dhe T.S janë konsumuar tërësisht elementët e figurës së veprës penale “Shkelje e të drejtave të pronësisë industriale”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 149/a/2 i Kodit Penal dhe për pasojë i deklaroi ata fajtorë për sa akuzohen.
Arsyetimi i gjykatës:
Neni 149/a i K.Penal parashikon: “Prodhimi, shpërndarja, mbajtja për qëllime tregtimi, shitja, ofrimi për shitje, furnizimi, shpërndarja, eksportimi ose importimi për këto qëllime i: a) produktit ose procesit të mbrojtur nga një patentë, pa pëlqimin e pronarit të patentës; b) produktit që mbrohet nga një dizenjo industriale, pa pëlqimin e pronarit të dizenjos industriale; c) mallrave ose shërbimeve që mbrohen nga një markë tregtare, pa pëlqimin e pronarit të markës tregtare; ç) produktit që rrjedh nga një tregues gjeografik, pa pëlqimin e pronarit të treguesit gjeografik; të kryera me dashje, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Po kjo vepër kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”.
Gjykata theksoi se me anë të nenit 149/a/2 të Kodit Penal janë marrë në mbrojtje të posaçme juridike të drejtat e pronësisë industriale. Veprimet e shtetasve në kundërshtim me këto rregulla janë objekti i këtyre veprave penale dhe passjellin përgjegjësi penale. Në rastin konkret, ka prova të mjaftueshme se ky objekt është cenuar nga të pandehurit, pasi me veprimet e tyre të drejtpërdrejta dhe të vullnetshme, ata kanë shkelur të drejtat e pronësisë industriale.
Në lidhje me anën objektive të figurës së veprës penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” parashikuar nga neni 149/a/2 i K.Penal, Gjykata theksoi se ajo është element i domosdoshëm për përgjegjësinë penale, sepse nëse nuk ka veprim ose mosveprim të dënueshëm nuk ka vepër penale. Askush nuk mund të dënohet për mendimet apo idetë e tij.
Nga teoria e së drejtës penale dhe praktika gjyqësore rezulton se, element të anës objektive të figurës së veprës penale janë: i) veprimi ose mosveprimi i kundërligjshëm; ii) mënyra e kryerjes së veprës penale, me të cilën kuptohet renditja e veprave, metodat e përdorura, karakteri kronologjik dhe specifika e lëvizjeve që bën personi për kryerjen e vepërës penale. Mënyra e kryerjes së veprës penale lidhet ngushtësisht me mjetet e përdorura nga personi për realizimin e saj; dhe iii) Koha, vendi dhe ambjenti i kryerjes së veprës penale, me të cilën kuptohet grumbullimi dhe uniteti i kushteve konkrete, në të cilat kryhet veprimi ose mosveprimi kriminal, në të cilat zhvillohet lidhja shkakësore dhe vjen rezultati (pasoja) kriminale. Këto kushte ekzistojnë objektivisht dhe pavarësisht nga vullneti i subjektit i veprës penale.
Në kuptim të nenit 149/a/2 të Kodit Penal, vepra penale kryhet me anë të prodhimit, shpërndarjes, mbajtjes për qëllime tregtimi, shitjes, ofrimit për shitje, furnizimit, shpërndares, eksportimit ose importimit për qëllime të parashikuara nga gërmat a) – ç) të nenit 149/a të KP.
Në këtë mënyrë Gjykata arriti në konkluzionin se provohet përtej dyshimit të arsyeshëm se të pandehurit kanë konsumuar në tërësi me sjelljen e tyre të kundraligjshme anën objektive të veprës penale të “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” parashikuar nga neni 149/a/2 i K.Penal.
Në lidhje me anën subjektive të figurës së veprës penale, gjykata vlerësoi se, vepra penale e “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” parashikuar nga neni 149/a/2 i Kodit Penal kryhet me dashje. Për të përcaktuar anën subjektive në çështjen objekt gjykimi, gjykata analizoi veprimet e të pandehurve.
Akuza në ngarkim të të pandehurve është provuar në seancë gjyqësore me administrimin në tërësi të akteve të ndodhura në fashikullin e procedimit penal.
Një nga kriteret që mban parasysh gjykata në caktimin e dënimit është rrezikshmëria e veprës penale, e cila përcaktohet nga këto elementë, që janë: a) Objekti; b) Vendi; c) Koha; d) Gjendja në të cilën kryhet vepra penale; e) Nëse vepra penale është e përhapur në atë rreth; f) Rrethanat që kanë ndikuar në kryerjen e saj.
Në lidhje me rrezikshmërinë e figurës së veprës penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, kjo vepër përbën kundravajtje penale dhe paraqet rrezikshmëri të ulët shoqërore, për të cilën ligjvënësi parashikon dënimet e përshkruara më lart.
Gjithashtu, për interpretimin e “rrezikshmërisë së autorit të saj” Gjykata ka parasysh disa elementë të tjerë si: a) Gjendja sociale; b) Profesioni; c) Arsimimi; d) Gjendja familjare; e) Gjendja gjyqësore.
Për të pandehurin V.E, Gjykata në rastin konkret mban parasysh disa fakte. Së pari: personalitetin e të pandehurit, të kaluarën e tij kriminale, ku nga vërtetimi mbi gjendjen gjyqësore rezulton se i pandehuri është i padënuar. Së dyti, gjendjen familjare të të pandehurit, i cili rezulton të jetë beqar. Së treti, moshën e të pandehurit i vitlindjes 1993. Së katërti, arsimin e të pandehurit, i cili deklaron se është me arsim të lartë.
Për të pandehurin T.S, Gjykata në rastin konkret mban parasysh disa fakte. Së pari: personalitetin e të pandehurit, të kaluarën e tij kriminale, ku nga vërtetimi mbi gjendjen gjyqësore rezulton se i pandehuri është i padënuar. Së dyti, gjendjen familjare të të pandehurit, i cili rezulton të jetë beqar. Së treti, moshën e të pandehurit i vitlindjes 1992. Së katërti, arsimin e të pandehurit, i cili deklaron se është me arsim të lartë.
Gjykata thekson se veprimet janë kryer në formën e dashjes direkte, formë e cila përbën edhe shkallën më të lartë të fajit, pasi ata ka parashikuar karakterin shoqërisht të rrezikshëm të veprimeve të tyre dhe kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme e të vullnetshme.
Gjykata, në çështjen objekt gjykimi mban parasysh faktin që ndaj të pandehurve nuk konstatohet asnjë rrethanë rënduese nga ato të parashikuara nga neni 50 të Kodit Penal.
Gjykata çmoi se, të pandehurit paraqesin rrezikshmëri shoqërore të tillë, e cila e bën të nevojshme dhe të domosdoshme që gjykata të japë një masë dënimi me gjobë ndaj tyre. Për rrjedhojë, mbështetur në nenet 47-50 të Kodit Penal Gjykata çmoi se, i pandehuri V.E duhet të dënohet me 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, parashikuar nga neni 149/a/2 i Kodit Penal dhe në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe e dënon përfundimisht të pandehurin me 40 000 (dyzet mijë) lekë gjobë. Në të njëjtën mënyrë, gjykata e vlerësoi edhe situatën e të pandehurit T.S dhe e dënoi me të njëjtën masë dënimi.