M.Q (K) KUNDËR N.V DHE V.B, Person i Tretë SHTËPIA BOTUESE “A.” SH.P.K dhe ZYRA SHQIPTARE PËR TË DREJTËN E AUTORIT, VENDIMI NR. 9583, datë 25.11.2016, KUNDËRSHTIM I BASHKËAUTORËSISË TË TË PADITURVE N.V DHE V.B MBI VEPRËN “FJALOR SHPREHJESH FRËNGJISHT – SHQIP TË VITIT 2008, 1000 SHPREHJE MË TË PËRDORSHME NË FRËNGJISHTEN E SOTME” DHE NJOHJEN E AUTORËSISË MBI KËTË VEPËR TË AUTORIT V.K NË 42% TË VOLUMIT TË SAJ OSE 42% TË SHPREHJEVE MË TË PËRDORSHME NË FRËNGJISHTEN E SOTME
Objekti i padisë (i ndryshuar me kërkesë të paditësit): Kundërshtim i bashkëautorësisë të të paditurve N.V dhe V.B mbi veprën “fjalor shprehjesh frëngjisht – shqip të vitit 2008, 1000 shprehje më të përdorshme në frëngjishten e sotme” dhe njohjen e autorësisë mbi këtë vepër të autorit V.K në 42% të volumit të saj ose 42% të shprehjeve më të përdorshme në frëngjishten e sotme.
Objekti fillestar i padisë: Kundërshtim i bashkëautorësisë të të paditurve N.V dhe V.B mbi veprën “fjalor shprehjesh frëngjisht – shqip të vitit 2008, 1000 shprehje më të përdorshme në frëngjishten e sotme” dhe njohjen e autorësisë mbi këtë vepër të autorit V.K dhe për rrjedhojë shpërblimin e dëmit moral të ardhur nga mosnjohja e autorësisë në masën 100.000 lekë; Marrjen e masës së sigurisë duke vendosur “bllokimin e të gjithë kopjeve të veprës “fjalor shprehjesh frëngjisht – shqip të vitit 2008 me bashkëautorë N.V dhe V.B”.
Gjyqtari: R.M
Fjalët kyçe: e drejtë e autorit; vepër artistike; vepër artistike e prejardhur; autor i veprës; shprehje popullore / frazeologjike; vepër e përbashkët; bashkëautorë.
Ligji dhe dispozitat ligjore përkatëse: Neni 58 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 1, 4, 5, 6, 8, 10, 11, 12, 13, 21, 118, 120, 121, 122, 123, 127, 128; Ligji nr. 9380, datë 28.04.2005 “Për të Drejtën e Autorit dhe të drejta të tjera të lidhura me të”; nenet 608, 609, 640 të Kodit Civil dhe nenet 31, 32, 202 e vijues të Kodit të Procedurës Civile.
Faktet kryesore: Paditësja është trashëgimtare ligjore e autorit të njohur të përkthimeve të
gjuhës frënge z. V.K, sipas Vendimit nr. 3065, datë 26.09.2001 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor
Tiranë për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë. Të paditurit janë pedagogë pranë Fakultetit të
Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, Departamenti i Gjuhës Frënge dhe autorë të botimeve
në fushën e përkthimit frëngjisht-shqip.
V.K, Doktor Honoris Causa i Unversitetit të Tiranës është autor i veprës “Fjalor Frëngjisht-
Shqip i vitit 2001 me 35.000 fjalë nga “Botimet Kokona” dhe i Fjalorit Frëngjisht-Shqip,
Shqip-Frëngjisht të vitit 2002 me 43.000 fjalë dhe shprehje nga “Botimet Kokona”.
Të paditurit N.V dhe V.B janë bashkëautorë të veprës “Fjalor shprehjesh Frëngjisht-Shqip,
1000 shprehje më të përdorshme në frëngjishten e sotme”, botim i cili është realizuar nga
Shtëpia Botuese “A.” sh.p.k (2008).
Pala paditëse pretendoi se nga dy fjalorët e të atit janë marrë 42% të shprehjeve dhe janë përfshirë në fjalorin e dy të paditurve, duke e shfrytëzuar punën e tij që nga viti 2008, pa i njohur asnjë të drejtë vetjake apo pasurore.
Pala e paditur pretendoi se nuk kemi shkelje të së drejtës së autorit, pasi shprehjet frazeologjike ose shprehjet popullore përjashtohen nga mbrojtja e së drejtës së autorit, për shkak se janë pronë e të gjithë popullit shqiptar. Po ashtu, u pretendua se vetë V.K nuk është shpikës, as i shprehjeve të frëngjishtes dhe as i shprehjeve në gjuhën shqipe dhe ai vetë i ka marrë shprehjet në një fjalor tjetër.
Vendimi1: Rrëzimin e padisë së paditësit M.Q (K) si të pambështetur në ligj dhe në prova.
Arsyetimi i gjykatës: Gjykata duhet të analizojë në fillim pronësinë e palës paditëse mbi dy
veprat artistike dhe shkencore dhe nga ana tjetër, duhet të analizojë nëse vepra e të paditurve
ka cënuar veprën e paditësit apo jo.
Pronarit të një vepre të së drejtës së autorit i njihet e drejta e shfrytëzimit të saj në mënyrë
ekskluzive (neni 13 i ligjit), e drejta që t’a modifikojë veprën, t’a shpërndajë atë, të
kundërshtojë bashkëautorësinë në një vepër apo të kërkojë vendosjen e emrit të saj në një vepër
(neni 10), etj.
Së pari, autori V.K është i njohur në fushën e përkthimeve nga gjuha frënge në atë shqipe në Shqipëri, pasi ai është autori i fjalorëve të njohur frëngjisht-shqip që nga viti 1966 dhe 1989 dhe konkretisht i Fjalorit Frëngjisht-Shqip i vitit 2001 me 35.000 fjalë nga “Botimet Kokona” dhe i Fjalorit Frëngjisht-Shqip & Shqip-Frëngjisht të vitit 2002 me 43.000 fjalë dhe shprehje nga “Botimet Kokona”, ku të gjithë këta fjalorë janë të përgjithshëm. Nga ana tjetër, V.K nuk është autor i ndonjë fjalori specifik mbi shprehje frazeologjike nga frëngjishtja në shqip. Në këto kushte, identiciteti i fjalorëve ngushtohet në verifikim nëse përmbajtjet e njërit apo tjetrit fjalor nuk janë identike.
Së dyti, trashëgimtarja e autorit pretendon se 42% e veprës së babait të saj në dy fjalorët e vitit
2001 dhe 2002 është marrë dhe përthithur tek fjalori i autorëve V.B dhe N.V. Gjykata konstatoi
se fjalori ndërtohet jo në bazë shprehjesh, por në bazë mikrostrukture, ku si e tillë, në të
konstatohet tërësia e shprehjeve, ilustrimeve dhe shembujve në frëngjisht dhe në shqip për një
fjalë përkatëse të gjuhës së huaj.
Konkretisht e ilustojmë me një shembull: “Pas”, në faqen 737 të fjalorit të vitit 2001 të V.K,
përshkruhet si emër dhe i jepet kuptimi “hap, çap” dhe më pas jepen edhe 6 (gjashtë) kuptime
të tjera të saj, duke u ilustruar nga autori me tog fjalësh, shprehje frazeologjike, etj. Nga ana
tjetër në kuadrin e shprehjeve frazelogjike të përdorua nga bashkëautorët N.V dhe V.B në
fjalorin e vitit 2008, rezulton kjo mikrostrukturë: “faire les cènt pas”, “bëj ecejake, lëviz tutje-
tëhu (në pritje të diçkaje)”; “Le train n’arrivait que dans unë heure et jái passe le temps a faire
les cent pas devant la gare”, “treni do të mbërrinte vetëm pas një orë dhe kalova kohën duke lëvizur tutje-tëhu nëpër stacion”; “A deux pas”, “Dy hapa larg, as dy minuta larg, një vrap pele,
fare pranë”; “Cés a deux pas d’ici”, “një vrap pele larg”; “Është akoma larg stacioni i treni?”,
Do dhe shumë të mbërrijmë te stacioni i trenit?”, “Jo, ja arritëm, dy hapa larg është prej këtu”,
faqe 119.
Kështu, vërehet se në mikrostrukturë nuk ka asgjë të përbashkët mes të dy fjalorëve, prandaj
ekspertët kanë konkluduar se ka zero ngjashmëri apo identicitet mes fjalorëve të autorit V.K
dhe fjalorit të autorëve N.V dhe V.B. Gjithashtu, është i gabuar pretendimi i palës paditëse ku
pretendon autorësinë me arsyetimin se në mikrostrukturën “pas”, faqe 737 të fjalorit të vitit
2001, në brendësi të saj gjendet “faire les cent pas”, “shkoj e vij, bëj ecejake”. Kjo sipas
paditëses, është përdorur nga ana e të paditurve në faqen 119, duke e përkthyer njësoj si babai
i saj “faire les cent pas”, “bëj ecejake”. Në fakt, gjykata konstaton se bashkëautorët N.V dhe
V.B e kanë shpjeguar edhe me detaj mikrostrukturën, duke shtuar fjalën “lëvizje tutje–tëhu (në
pritje të diçkaje)”. Po ashtu, ka shtuar edhe shembull në frëngjisht dhe të përkthyer në shqip.
Në këtë mënyrë në pjesën e mikrostrukturës “pas” ekziston edhe shprehja “a deux pas” që V.K
në fjalorin e tij e ka përkthyer “është këtu afër, fare afër”, ndërsa në mikrostrukturën e N.V dhe
V.B, në faqen 119 është përkthyer “dy hapa larg, as dy minuta larg, një vrap pele, fare pranë”.
Si ky shembull dhe me të njëjtën logjikë paditësja pretendon autorësinë e 42% të shprehjeve të
përdorura në mikrostrukturat e fjalorit të të paditurve, si pronësi ekskluzive e babait të saj të
paraqitur në dy fjalorët e vitit 2001 dhe 2002 dhe për këtë arsye pretendon bashkëautorsi dhe
shpërblim dëmi.
Së treti, pretendohet se të paditurit janë ndër të parët në Shqipëri që kanë krijuar një fjalor të
tillë, “Fjalor shprehjesh Frëngjisht-Shqip, 1000 shprehje më të përdorshme në frëngjishten e
sotme”, botim i cili është realizuar nga Shtëpia Botuese “A.” sh.p.k (2008). Gjykata analizon
se shprehjet frazeologjike ose shprehjet popullore që ka përdorur i ati i paditëses në fjalorët e
përgjithshëm nuk është nën mbrojtje të së drejtës së autorit, ndërsa tërësia e të gjithë fjalorit
është vepër autentike dhe gjen mbrojtje nga ligji nr. 9380/2005. Nga ana tjetër, fakti se
shprehjet popullore në shqip, që i korrespondojnë shprehjeve në frëngjisht që ka përdorur autori
V.K nuk janë një punë autentike dhe ekskluzive e tij, pasi ato janë të njohura edhe më parë nga
frëngjishtfolësit, nga shkrimet, nga botimet shkencore, konferencat, gazetat, etj., dhe paditësja
nuk provoi se i ati, autori V.K, është përdorues për herë të parë dhe krijuesi i këtyre shprehjeve
që të gjente mbrojtje nga ligji. Aq më tepër që edhe bashkëautorët V.B dhe N.V, jo vetëm kanë
korresponduar këto shprehje popullore me shprehjet popullore në frëngjisht, por i kanë ilustruar
edhe me shembuj të tjerë.
Nëse vazhdohet me logjikën e trashëgimtares së V.K, edhe përdorimi i shprehjeve shtesë
frazeologjike në fjalorin e vitit 2008 do të ketë autorësi të veçantë për autorët N.V – V.B. Në
fakt, kjo gjë nuk është e njohur në të drejtën e autorit, pasi atashimi i një mikrostrukture, i një
përkthimi përkatës apo i një shprehje frazeologjike vjen edhe nga përdorimi nga
frëngjishtfolësit e mëparshëm, nga emisione në media, shkrime, botime shkencore, konferenca,
etj., që nuk mund të gjenden dhe as të pretendohet për autorësi përdorimi për herë të parë, sepse
ligji mbron veprën në tërësi kur autori strukturon, përdor një volum fjalësh dhe i lidh ato.
Së katërti, autorësia mbi gjetjen e shprehjeve frazeologjike shqipe që i përkojnë shprehjeve
frazeologjike frëngjisht, nuk gjen mbrojtjje nga neni 5 i ligjit të posaçëm dhe nuk është objekt
i autorësisë. Nga ana tjetër, sipas nenit 9 të po këtij ligji, legjislatori e ka përcaktuar se ideja
dhe koncepti, pavarësisht nga mënyra e marrjes, e të shpjeguarit ose e të shprehurit nga një autor në tjetër, nuk gjen mbrojtje nga ligji dhe më në detaj po ky nen shpjegon se marrja, të
shpjeguarit dhe të shprehurit, qoftë edhe për shprehjet popullore, ku futen edhe shprehjet
frazelogjike sipas ekspertëve, po ashtu nuk gjen mbrojtje nga ky ligj. Përkundrazi, nëse do të
pranohej përkimi i disa shprehjeve nga fjalori i N.V – V.B tek dy fjalorët e V.K dhe cënimi i
të drejtës së autorit, do të certifikonim V.K si pronar ekskluziv të këtyre shprehjeve
frazeologjike dhe çdo person që i përdor në përkthim, në teza doktorature apo në gjuhën e folur,
do të kërkonte leje përdorimi tek trashëgimtarët e V.K. Kjo është arsyeja sepse përdorimi, idetë
dhe mënyra e përkthimit të shprehjeve popullore, por edhe i çdo shprehje tjetër, nuk
konsiderohet si e drejtë autorësie. Përkthimi i një vepre mbrohet, por nuk mbrohen fjalë të
posaçme që mund t’i përkasin gjuhës shqipe të përdorur nga ana e autorëve të ndryshëm, pasi
gjuha shqipe dhe çdo komponent i saj është pronë e gjithë popullit.
1 Ndaj këtij vendimi është ushtruar ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila me vendimin nr. 625, datë 26.06.2019 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit është ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila nuk është shprehur akoma.